1. Kur ndodheni në pozitën e palës së dëmtuar
Kur përfshiheni në një aksident jashtë Shqipërisë, në pozitën e palës së dëmtuar nga aksidenti duhet:
- Të kontaktoni menjëherë me Byronë e vendit në të cilin ka ndodhur aksidenti. Të dhënat mbi adresën e saj, gjenden në faqen e pasme të policës së kartonit jeshil që posedoni.
- T’i kërkoni drejtuesit të mjetit shkaktar të aksidentit që të plotësojë Deklaratën Miqësore të ngjarjes, (sidomos nëse Policia Rrugore nuk është thirrur për të raportuar ngjarjen). Sigurohuni që në këtë deklaratë të përcaktoni faktin e fajësisë së palës shkaktare të aksidentit.
- Të merrni një kopje të policës së sigurimit të automjetit shkaktar të aksidentit, ku të evidentohet qartësisht periudha e vlefshëmrisë së policës dhe shoqëria e huaj e sigurimit, përgjegjëse për trajtimin dhe zhdëmtimin e rastit.
- Në rastin kur ju jeni përgjegjës për aksidentin, sigurohuni që t’i dorëzoni shoferit tjetër një kopje të kartonit tuaj jeshil ose të kontratës së sigurimit dhe të kontaktoni me kompaninë tuaj të sigurimit ose Byronë e shtetit ku ndodheni, me qëllim që të deklaroni aksidentin e ndodhur.
- Sigurohuni që të mbani shënim të dhënat e mbulimit në sigurim të mjetit shkaktar të aksidentit dhe t’i kërkoni drejtuesit shkaktar të plotësojë një deklaratë dhe t’ia dërgojë kompanisë së sigurimit, ku ai është i siguruar. Ju duhet të kontaktoni me kompaninë e sigurimit ku është siguruar mjeti shkaktar, për të kërkuar kompensimin e plotë të dëmit.
- Mbi mundësitë që ju krijohen, të fotografoni skenën e aksidentit dhe dëmtimet e shkaktuara në automjetet e përfshira në aksident.
2. Kur ndodheni në pozitën e palës shkaktare
Kur përfshiheni në një aksident jashtë kufirit të Shqipërisë duhet të:
- Plotësoni deklaratën miqësore mbi rrethanat e ngjarjes të rezutluara nga aksidenti i ndodhur.
- Të plotësoni me përgjegjësi Deklaratën mbi rrethanat e aksidentit dhe të mos pranoni përgjegjësinë e aksidentit, kur nuk jeni ju shkaktar të aksidentit të ndodhur.
- Ti dorëzoni drejtuesit të mjetit të dëmtuar, kopje të kartonit jeshil të vlefshëm që dispononi.
- Të kontaktoni me Shoqërinë e Sigurimit në Shqipëri që ka lëshuar kartonin jeshil që ju dispononi, duke e njoftuar mbi aksidentin e ndodhur, përgjegjësinë e palëve në aksident dhe rrethanat mbi dëmet e shkaktuara.
3. Aksident me drejtues automjeti të pasiguruar.
- Kur ndodh një aksident dhe automjeti shkaktar nuk disponon një policë sigurimi, njoftoni menjëherë Byronë e vendit në të cilën ka ndodhur aksidenti dhe kërkoni informacion prej tyre, mbi procedurën që duhet të ndiqni.
- Sigurohuni në plotësimin korrekt të deklaratës miqësore të ngjarjes dhe njoftoni shërbimet policore në mënyrë që ngjarja të raportohet e plotë. Administroni një kopje të raportit policor të mbajtur për ngjarjen, në mënyrë që të dorëzohet pranë Byrosë ku ka ndodhur aksidenti, pasi në këtë të fundit do të aktivizohet Fondi i Kompensimit, për të zhdëmtuar dëmin që keni pësuar.