S T A T U T I

I Byrosë Shqiptare të Sigurimit

 

Neni 1

Forma

Byroja Shqiptare e Sigurimit krijohet me statusin e person juridik pa të drejtë fitimi, dhe do të funksionojë në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit”, Ligjit 9267, datë. 29.07.2004 “Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime” dhe këtij Statuti.

               

Neni 2

Emërtimi, selia dhe viti administrativ

Emërtimi i plotë është “Byroja Shqiptare e Sigurimit”, dhe emërtimi i shkurtuar i saj është “Byroja”.Për marrëdhëniet me jashtë vendit, Byroja do të emërtohet “Albanian Insurance Bureau – AIB”.Selia e Byrosë është në Tiranë, në adresën  Rruga „ Pallati Edil-Al-it Kati II, Tiranë. Çdo ndryshim i selisë së Byrosë  do të vendoset me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve, i cili i njoftohet  Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare dhe  ky njoftim do të publikohet në Fletoren Zyrtare. Byroja ka stemën dhe vulën e saj zyrtare.Në të gjithë aktet e dala nga Byroja të destinuara për të tretët tregohet emërtimi i plotë i Byrosë si dhe adresa e selisë së saj.

 

Neni 3

Kohëzgjatja dhe viti administrativ

 

Byroja themelohet për të ushtruar veprimtari në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me këtë Statut për një afat kohor të pacaktuar.Periudha e vitit ushtrimor është 12 muaj. Të gjitha transaksionet që i referohen vitit kalendarik (1 Janar – 31 Dhjetor), që përputhet me vitin financiar të Anëtarëve të Byrosë, do të kontabilizohen brënda këtij viti.

 

Neni 4

Objekti i veprimtarisë së Byrosë

Objekt i veprimtarisë së Byrosë është përmbushja e funksioneve, detyrimeve dhe kopetencave që rrjedhin nga dispozitat e Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për Sigurimin e Detyrueshëm në Sektorin e Transportit”, Ligjit 9267, datë 29.07.2004 “Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime”, “Rregullorja e brëndshme e këshillit të byrove” dhe këtij

Statuti.Në zbatim të objektit të veprimtarisë dhe në përputhje me parashikimet e akteve të mësipërme, Byroja përgatit dhe paraqet për  miratim në autoritetin përkatës rregullore të detajuara.

Në  veprimtarinë e saj Byroja veçanërisht:

  • përfaqëson Anëtarët në marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare në fushën  e sigurimeve në sektorin e transportit;
  • mbledh dhe përpunon të dhëna statistikore lidhur me sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit;
  • furnizon Anëtarët me Çertifikata Ndërkombëtare Sigurimi (kartonë jeshilë) sipas formatit të përcaktuar nga Këshilli i Byrove;
  • siguron kryerjen e detyrave në lidhje me anëtarësimin e saj në Këshillin e Byrove;
  • ratifikon marrëveshjet me Byrotë homologe;
  • kryen funksionet e Byrosë trajtuese, paguese dhe të shërbimit, në përputhje me parashikimet e Rregullores së Brendshme dhe marrëveshjeve suplementare;
  • bashkëpunon me strukturat shtetërore për çështjet që kanë lidhje me sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit;
  • mbledh dhe përpunon të dhëna statistikore e informacione në lidhje me sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit;
  • kryen përfaqësimin ose lëshon autorizim përfaqësimi në proçese gjyqësore ndaj Byrosë;
  • administron Fondin e Kompensimit dhe Fondin e Kartonit Jeshil.

 

Neni 5

Anëtarësia

Anëtarë të Byrosë janë detyrimisht dhe juridikisht Siguruesit e liçensuar sipas shkronjave „a” e „b” të pikës 1 të nenit 2 të Ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.

Siguruesi është i detyruar të njoftojë Byronë menjëherë për fillimin e anëtarësimit.

Anëtarësimi në Byro fillon me hyrjen në fuqi të Vendimit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për dhënien e Liçencës për  kryerjen e sigurimeve të detyrueshme në përputhje me parashikimet e Ligjit nr. 9267 datë. 29.07.2004

Anëtarësimi në Byro përfundon me hyrjen në fuqi të Vendimit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për tërheqjen e Liçencës për kryerjen e sigurimeve të detyrueshme në sektorin e transportit në përputhje me parashikimet e Ligjit nr.9267 dt. 29.07.2004.

Në përputhje me parashikimet e Ligjit nr. 10076, datë.12.02.2009, kontributi fillestar që është i detyruar për të paguar në favor  të Byrosë, çdo sigurues për anëtarësim në Byro është në vlerën 20.000 Euro

 

Neni 6

Të drejtat dhe detyrimet e Anëtarëve

 

1. Statusi i Anëtarëve është i barabartë. Asnjë Anëtar nuk mund të gëzojë privilegje për shkak të cilësisë së tij ose të pjesës së tij në shpenzimet e Byrosë ose për çdo arsye tjetër.

2. Të gjithë Anëtarët kanë të drejtën të marrin pjesë në administrimin e Byrosë në përputhje me parashikimet e këtij Statuti.

3. Anëtarët duhet të kontribuojnë në përmbushjen e objektit të veprimtarisë së Byrosë dhe të zbatojnë parashikimet e legjislacionit përkatës si dhe vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve dhe Këshillit Administrativ.

Neni 7

Organet drejtuese të Byrosë

Organet drejtuese të Byrosë janë Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve dhe Këshilli Administrativ.

Drejtimi i përgjithshëm i Byrosë kryhet nëpërmjet Drejtorit Ekzekutiv.

 

Neni 8

Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve

 

Organi më i lartë drejtues i Byrosë është Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve.

Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve përbëhet nga përfaqësues të shoqërive të sigurimit, anëtare të byrosë. Çdo shoqëri sigurimi, anëtare e byrosë, përfaqësohet me një votë në Mbledhjet e Asamblesë.

Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve mblidhet në Tiranë në selinë e Byrosë ose në vendin e përcaktuar nga Këshilli Administrativ brënda zyrave të tij.

Drejtori Ekzekutiv  merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve pa të drejtë vote.

 

Neni 9

Përfaqësimi në Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve

Çdo anëtar i Byrosë shqiptare të sigurimit merr pjesë në mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë nëpërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Shoqërisë, ose përfaqësuesit të autorizuar prej tij. Emri i përfaqësuesit i bëhet i njohur Byrosë me anë të një letre zyrtare dërguar nga anëtari përkatës i saj.

                                                                 

Neni 10

Kopetencat e Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve

 

1. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve ka të drejtën e marrjes së vendimeve për të gjitha çështjet. Vendimet e saj janë të detyrueshme për të gjithë Anëtarët, të pranishëm ose jo në marrjen e vendimeve të saj dhe për Drejtorin Ekzekutiv të Byrosë.

2. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve ka të drejtën ekskluzive të marrjes së vendimeve për:

  • zgjedhjen dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Administrativ;
  • ndryshimin ose anullimin e vendimeve të Këshillit Administrativ;
  • zgjedhjen e komisionit zgjedhor për kryerjen e procedurave zgjedhore;
  • paraqitjen për miratim Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare të buxhetit ose ndryshimeve të tij, raportit vjetor dhe bilancit të Byrosë;
  • përcaktimin e shoqërisë së ekspertëve kontabël të autorizuar;
  • emërimin dhe shkarkimin e shefave të depertamenteve të Byrosë.
  • Emërimin dhe shkarkimin e Drejtorit Ekzekutiv
  • Emërimin ose shkarkimin e Komisionit të dëmeve  dhe atë të mjekëve;
  • miratimin e rregulloreve të funksionimit të Byrosë;
  • paraqitjen Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare të propozimeve për ndryshime në kuadrin ligjor e nënligjor në lidhje me sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.

 

 

Neni 11

Thirrja e Mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve

 

1. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve thirret detyrimisht nga Kryetari i Këshillit Administrativ në sesion të zakonshëm brënda muajit qershor të çdo viti.

Nëse Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve nuk mblidhet brënda kësaj periudhe, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare e thërret  mbledhjen me iniciativën e tij ose me kërkesën e çdonjërit prej anëtarëve.

2. Anëtarët e Byrosë thirren në sesionin e zakonshëm të mbledhjes me ftesë me shkrim të dërguar jo më vonë se 10 ditë para mbledhjes, së bashku me dokumentacionin përkatës, në adresën e fundit të deklaruar të Byrosë.Njoftimi  përcakton ditën, orën e vendin e mbledhjes si dhe rendin e ditës.

3. Drejtori Ekzekutiv mund të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve sa herë është e nevojshme dhe merr pjesë në të gjitha mbledhjet.

 

Neni 12

Thirrja e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve

 

1. Kryetari i Këshillit Administrativ është i detyruar të thërrasë në sesion të jashtëzakonshëm Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve, me kërkesën me shkrim të një anëtari ose disa anëtarëve që përfaqësojnë të paktën 1/5 e numrit të përgjithshëm të votave. Kërkesa me shkrim duhet të përcaktojë edhe pikat e rendit të mbledhjes.

2. Mbledhja e Përgjithshme e sipërpërmendur caktohet brënda 20 ditësh nga data e kërkesës. Nëse Mbledhja e Përgjithshme nuk thirret nga Këshilli Administrativ brënda këtij kufiri kohor, atëhere mbledhja mund të thirret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bazë të kërkesës së palës së interesuar.

 

Neni 13

Organizimi i Mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve

 

1. Mbledhja është e vlefshme kur në të janë të pranishëm më shumë se  2/3 e numrit të përgjithshëm të votave. Nëse nuk arrihet kjo pjesëmarrje, atëhere mbledhja mbahet përsëri në të njëjtën ditë dhe orë të javës se ardhshme, në të njëjtin vend dhe me të njëjtin rend dite, pa pasur nevojë për lajmërim të ri. Në këtë rast mbledhja është e vlefshme, pavarësisht nga numri i anëtarëve të pranishëm.

2. Vendimet të cilat janë të rëndësishme dhe që kanë të bëjnë  me objektin e veprimtarisë së Byrosë do të merren me 50+1% të numrit të  votave, me përjashtim të rasteve për nga natyra e tyre nuk janë të rëndësishme dhe duhet të merren me shumicën e thjeshtë.

3. Mbledhjet kryesohen nga Kryetari i Këshillit Administrativ, përjashtuar rastet kur mbledhja vendos ndryshe mbi bazën e

propozimit të një anëtari. Në rastin e fundit Kryetari i Mbledhjes zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm në mbledhje, një prej personave që marrin pjesë në mbledhje dhe kanë të drejtën e votës si përfaqësues të anëtarëve të Byrosë.

4. Procesverbali i mbledhjes së përgjithshme mbahet nga një punonjës i Byrosë i caktuar nga Kryetari i Këshillit Adminsitrativ dhe i firmosur nga të gjithë Anëtarët e pranishëm.

 

Neni 14

Këshilli Administrativ

 

Këshilli Administrativ përbëhet nga jo më pak se 8 anëtarë nga të cilët 7 anëtarë me të drejtë vote, të zgjedhur nga asambleja e përgjithshme e anëtarëve dhe një anëtar pa të drejtë vote, i zgjedhur nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Këshilli Administrativ, me shumicë të thjeshtë votash, zgjedh Kryetarin e tij ndër anëtarët e tij me të drejtë vote.

 

Neni 15

Zgjedhja e Këshillit Administrativ

 

1. Anëtarët e Këshillit Administrativ zgjidhen për një mandat me afat 1 vjeçar dhe zgjedhja e tyre mund të revokohet në çdo kohë nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve. Zgjatja e mandatit zyrtar të Këshillit Administrativ, për secilin anëtar shkon deri në zgjedhjen e Këshillit Administrtiv të ri në përputhje me këtë statut.

2. Zgjedhja e Këshillit Administrativ bëhet me votim dhe personi që ka marrë 2/3 e votave fiton të drejtën për të qënë anëtar i Këshillit.

3. Anëtarët e zgjedhshëm të Këshillit Administrativ zgjidhen dhe shkarkohen nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve në sesion të zakonshëm ose të jashtëzakonshëm.

 

Neni 16

Thirrja e Mbledhjes së Këshillit Administrativ

 

1. Këshilli Administrativ mblidhet, si rregull, një herë në muaj nga Kryetari me kërkesën e Drejtorit Ekzekutiv, i cili përcakton dhe rendin e ditës.Dokumentacioni përkatës vihet në dispozicion jo më vonë se tre ditë përpara ditës së caktuar për zhvillimin e mbledhjes.

2. Këshilli Administrativ mblidhet brenda 10 ditësh nga paraqitja e kërkesës me shkrim e të paktën tre prej anëtarëve me të drejtë vote. Kërkesa me shkrim duhet të përcaktojë edhe pikat e rendit të ditës.

 

Neni 17

Organizimi i Mbledhjes së Këshillit Administrativ

 

1. Mbledhjet kryesohen nga Kryetari i Këshillit Administrativ ose në mungesë të tij, nga një anëtar i Këshillit që caktohet me shumicë të thjeshtë votash.

2. Procesverbali i mbledhjes mbahet nga një punonjës i Byrosë dhe firmoset nga të gjithë Anëtarët e pranishëm.

3. Që mbledhja të jetë e vlefshme në të duhet të jenë të pranishëm jo më pak se 6 anëtarë me të drejtë vote.

 

Neni 18

Kopetencat e Këshillit Administrativ

 

1. Këshilli Administrativ është strukturë kolegjiale, vendimarrëse që kryen drejtimin dhe administrimin e veprimtarisë së Byrosë dhe trajton çështje që i ngarkohen nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, me përjashtim të çështjeve që janë kopetencë ekskluzive e Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve.

Këshilli Administrativ ka këto kopetenca:

  • shqyrton dhe i paraqet Asamblesë së Përgjithshme të anëtarëve, projekt rregulloret e funksionimit të Byrosë
  • shqyrton dhe i paraqet Asamblesë së Përgjithshme të anëtarëve projekt  ndryshimet në statutin e Byrosë
  • shqyrton dhe i Paraqet Asamblesë së Përgjithshme të anëtarëve projekt buxhetin e Byrosë.
  • Miraton politikat ekzekutive të BSHS në ushtrimin e veprimtarisë së saj me sigurimet.

2. Kryetari i Këshillit Administrativ ngarkohet me organizimin dhe drejtimin e mbledhjeve të Këshillit Administrativ dhe të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve.

                                                                       

          

Neni 19

Drejtori Ekzekutiv

 

Drejtori Ekzekutiv emërohet nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, me miratimin paraprak të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare. Drejtori Ekzekutiv duhet të plotësojë të gjitha kërkesat ligjore dhe nënligjore të kualifikimit dhe përshtatshmërisë së anëtarit të drejtorisë së një shoqërie sigurimi të përcaktuar në ligjin „Për veprimtarinë e sigurimit, risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime”. Drejtori i BSHS zgjidhet   për një periudhë kohore prej tre vjetësh, me të drejtë

riemërimi në përputhje me parashikimet e Ligjit 10076 datë        12.02.2009,         pika        2,neni43.

Drejtori Ekzekutiv mund të lirohet nga detyra në këto raste:

1.Jep dorëheqjen;

2.Është shpallur fajtor me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale;

3.Bëhet fizikisht i paaftë për të përmbushur detyrën, për të cilën është emëruar, për më shumë se 3 muaj;

4.Për shkak të paaftësisë profesionale apo neglizhencës i shkakton dëm Byrosë ose imazhit të saj si institucion i pavarur.

 

Neni 20

Kopetencat e Drejtorit Ekzekutiv

 

Drejtori Ekzekutiv i Byrosë është i autorizuar të kryejë veprime ligjore për të siguruar aktivitetin e Byrosë si dhe të adaptojë të gjitha masat dhe vendimet e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e punës në Byro. Drejtori Ekzekutiv drejton veprimtarinë e Byrosë në përputhje me parashikimet e akteve ligjore e nënligjore përkatëse dhe veçanërisht ka këto të drejta dhe detyra:

  • përfaqëson Byronë në marrëdhënie me të tretët;
  • emëron personelin punonjës në përputhje me strukturën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, me perjashtim te shefave te departamenteve;
  • nënshkruan në emër të Byrosë marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e sigurimeve të detyrueshme ne sektorin e transportit;
  • delegon shqyrtimin dhe pagesën e një dëmi Anëtarëve të saj ose një strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve për dëme të shkaktuara në territorin e Republikës së  Shqipërisë nga një mjet motorrik me targë regjistrimi të huaj.
  • propozon projekt rregulloret për funksionimin e Byrosë;
  • harton projekt buxhetin e Byrosë dhe ia paraqet atë Këshillit Administrativ;
  • merr masat e duhura dhe ndjek administrimin e shpenzimeve në kufijtë e buxhetit të Byrosë;
  • përgatit raportin vjetor për veprimtarinë e ushtruar nga Byroja;
  • kryen përfaqësimin ose lëshon autorizim përfaqësimi në proçese gjyqësore ndaj Byrosë.
  • merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Administrativ dhe të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve;
  • thërret dhe drejton strukturën ekzekutive  dhe kryen të gjitha detyrat e përcaktuara ne nenin 7 të Rregullores së Brendshme.

 

Neni 21

Struktura

 

Përveç Drejtorit kryen funksionet e saj edhe struktura ekzekutive e Byrosë, e organizuar në departamente. Struktura e departamenteve përcaktohet me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve.

 

Neni 22

Hyrja në fuqi

Ky Statut hyn në fuqi me miratimin e tij nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare.