RREGULLORE

 

Nr. _____ Date _________2010

MBI ADMINISTRIMIN E FONDIT TË GARANCISË DHE RREGULLAT E TRAJTIMIT TË DËMEVE TË KARTONIT JESHIL.

 

Neni 1
OBJEKTI

Kjo Rregullore ka për objekt të përcaktojë rregullat mbi administrimin e Fondit të Garancisë së Kartonit Jeshil për të  garantuar detyrimet financiare që rrjedhin nga antarësimi në sistemin e kartonit jeshil dhe kriteret bazë të pajisjes së Anëtarëve me Certifikatë Ndërkombëtare Sigurimi, në momentin e aplikimit dhe në vazhdim.

Neni 2
BAZA LIGJORE

Kjo Rregullore miratohet në bazë dhe për zbatim të Neneve 42, 44 dhe  46 të Ligjit nr.10 076, datë 12.02.2009  “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e Transportit”.

Neni 3

Pajisja e Anëtarëve me Certifikatë Ndërkombëtare Sigurimi

1. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve pranë Byrosë Shqiptare të Sigurimit është i vetmi Autoritet i cili pajis Anëtarët e saj me Certifikatë Ndërkombëtare Sigurimi (Karton Jeshil) pas përmbushjes prej tyre të dispozitave ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe të kritereve të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve në përputhje me rregullat e sistemit të Kartonit Jeshil.

2.Kërkesa e Shoqërisë së Sigurimit (Anëtare e Byrosë Shqiptare të Sigurimit) duhet të paraqitet pranë Asamblesë të Përgjithshme të Anëtarëve në Byronë Shqiptare të Sigurimit, së bashku me një program të përshtatshëm risigurimi dhe garancinë bankare, në kuptimin e një depozite të ngurtësuar në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, si garanci për kartonin jeshil  në favor të Byrosë dhe me shënimin që preket vetëm me miratimin e Asamblesë të Përgjithshme të Anëtarëve të Byrosë, në përputhje me pikën 2 të  nenit 44 të ligjit nr.10 076, datë 12.2.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e Transportit”.

3. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, në mbledhjen e radhës miraton ose jo  dhënien e autorizimit zyrtar kërkuesit për shitjen e kartonit jeshil. Byroja njofton Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare brënda 3 ditëve pune për vendimin e Asamblesë të Përgjithshme të Anëtarëve për dhënien ose jo të autorizimit.

Neni 4
Kriteret në përzgjedhjen e shoqërisë risiguruese

1 Shoqëria e sigurimit, përzgjedhjen e shoqërive risiguruese, me të cilat lidh marrëveshje risigurimi, duhet ta garantojë në përputhje me Rregulloren “Mbi kriteret e risigurimit“ të miratuar me Vendimin nr.2 datë 18.06.2007 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

 

Neni 5

Fondi i Garancisë së Kartonit Jeshil

1. Fondi i Garancisë së Kartonit Jeshil krijohet nga kontributi i cdo anëtari të Byrosë, masa e të cilit, afatet për derdhjen e tij, procedura e rinovimit, si dhe afatet e rivendosjes miratohen cdo vit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Finaciare, me propozimin e Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve miraton propozimin brenda datës 15 Dhjetor të çdo viti kalendarik.

2. Fondi i Garancisë së Kartonit Jeshil do të përdoret, sipas parashikimeve të Nenit 44, pika 4 të Ligjit nr.10 076, datë 12.02.2009. Byroja pasi ka marrë njoftim për “Guarantee Call”, për mospërmbushjen e detyrimeve sipas parashikimeve të Rregullores të Brendshme të miratuar nga Këshilli i Byrove, njofton Anëtarin për këtë “Guarantee Call”. Në rast se Anëtari brenda 30 ditëve kalendarike nuk ekzekuton detyrimin, Drejtori Ekzekutiv i Byrose autorizon pagesën  e Guarantee Call nga Fondi i Garancisë dhe njofton Anëtarin për plotësimin e detyrimit të krijuar në Fondin e Garancisë.   

Neni 6
Trajtimi i Dëmeve të ndodhura në Shqipëri me shkaktarë mjetet me targë regjistrimi të huaj

1. Dëmet e ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë, me shkaktarë mjete me targë regjistrimi  të huaj, do të trajtohen duke patur parasysh si më poshtë:

a.  mjeti me targa të huaja, shkaktar i dëmit, rezulton i siguruar nga një Kompani e cila ka një korrespondent të miratuar në Shqipëri;
b. mjeti me targa të huaja shkaktar i dëmit rezulton i siguruar nga një kompani e cila nuk ka një korrespondent të miratuar në Shqipëri;
c. mjeti me targa të huaja shkaktar i dëmit nuk rezulton i siguruar me një Karton jeshil të vlefshëm, i cili mund të jetë i fallsifikuar apo i korigjuar ose qarkullon i pasiguruar.

2. Në rast se shkaktari i dëmit është i siguruar tek një shoqëri e huaj e cila ka një korrespondent të miratuar për trajtimin e dëmeve që ndodhin në territorin e Shqipërisë, Byroja Shqiptare e Sigurimit, në rast se raportimi i dëmit bëhet pranë saj, ia delegon praktikën e dëmit për trajtim dhe pagesë këtij korrespondenti.
Korespondenti mund të jetë :

  • një shoqëri sigurimi , anëtare e Byrosë Shqiptare të sigurimit ose
  • një person juridik i cili ka një marrëveshje fronting me një Shoqëri Sigurimi – Anëtare e Byrosë Shqiptare të Sigurimit për të trajtuar dëmet për llogari të saj, ose
  • një person juridik i cili nuk ka një marrëveshje fronting sipas pikës më lart, por  është i miratuar paraprakisht nga Asambleja e Anëtarëve për të trajtuar dëmet, sipas kritereve të përcaktuara.

Korespondenti është i detyruar të njoftojë periodikisht (çdo muaj) Byronë Shqiptare të Sigurimit për datën e pagesës së dëmit në favor të palës së tretë dhe vlerën përkatëse.

3. Në rast se shkaktari i dëmit është i siguruar tek një shoqëri e huaj e cila nuk ka një korrespondent të miratuar për trajtimin e dëmeve që ndodhin në territorin e Republikës së Shqipërisë, raportimi i dëmit bëhet direkt tek Byroja Shqiptare e Sigurimit e cila autorizon për  trajtimin e dëmit një nga shoqëritë e sigurimit - Anëtare të Byrosë sipas një sistemi rotacioni dhe duke patur parasysh që pala e tretë të mos jetë e siguruar nga kjo shoqëri.
Në rastet kur praktika e dëmit është hapur direkt nga një shoqëri anëtare, kjo e fundit njofton Byronë Shqiptare të Sigurimit dhe plotëson dokumentacionin me autorizimin e Byrosë ose në rast se pala e tretë është e siguruar prej saj, ia delegon praktikën shoqërisë së autorizuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.
 
4. Në rast se mjeti me targa të huaja shkaktar i dëmit nuk rezulton i siguruar me një Karton Jeshil të vlefshëm, i cili mund të jetë i fallsifikuar apo i korrigjuar ose mjeti qarkullon në territorin e Republikës së Shqipërisë i pasiguruar, Byroja Shqiptare e Sigurimit zhvillon korespondencën me Byrote respektive për zgjidhjen e rastit dhe në të njëjtën kohë autorizon një nga shoqëritë anëtare për trajtimin dhe vlerësimin e dëmit.
Në këtë rast, në përfundim të korespondencave me Byrotë respektive, do të përcaktohet statusi i pagesës së dëmit në favor të palës se tretë.

5. Të gjitha kërkesat për dëmshpërblim do të trajtohen nga korrespondentët apo anëtaret në përputhje me parashikimet ligjore dhe rregulluese që zbatohen në Shqipëri dhe në interesin më të mirë të siguruesit i cili ka lëshuar kartonin jeshil.

6. Miratimi i dosjeve të dëmeve, objekt i Fondit të Kartonit jeshil, kryhet nga Komision i Dëmeve pranë Byrosë Shqiptare të Sigurimit.

Neni 7
Raportime dhe Informacione

1. Shoqëritë e Sigurimit raportojnë pranë Byrosë Shqiptare të Sigurimit çdo tre muaj mbi dëmet e paguara dhe pezull të  Kartonit Jeshil.

2.Byroja Shqiptare e Sigurimit informon çdo tremujor Këshillin Administrativ lidhur me  mospërmbushjen e detyrimeve për pagesë të Shoqërive të sigurimit për dëmet e ndodhura jashtë territorit të Shqipërisë, si edhe njoftimet per “Guarantee Call” që ka marrë.

3. Byroja Shqiptare e Sigurimit komunikon me të gjitha Byrotë e tjera apo edhe ndërhyn pranë Këshillit të Byrove për çdo shqetësim të bërë prezent nga  Shoqëritë e Sigurimit Anëtare të saj, lidhur me proçedurat e trajtimit të dëmeve nga Byrotë trajtuese të huaja.

Dispozitat e kësaj Rregulloreje hyjnë në fuqi me _________________

 

 

.